Sylvinho i ka dhënë lamtumirën Kombëtares shqiptare ditën e sotme në një konferencë për mediat, ku u mbyll zyrtarisht cikli i tij në krye të kuqezinjve.
Braziliani foli me emocione për periudhën e kaluar në drejtimin e Shqipërisë, duke falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit, stafin teknik, lojtarët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre viteve.
“Vendosëm të mbyllim një cikël prej 3 vitesh e gjysmë. E njoh mirë Tiranën, Shqipërinë, ju falënderoj shumë. Falënderoj presidentin për besimin dhe punën. Dua të falënderoj stafin teknik, të gjithë lojtarët, jemi rritur të gjithë bashkë”, deklaroi Sylvinho.
Ai pati edhe një mesazh të veçantë për tifozët kuqezi, të cilët i cilësoi si një forcë shtesë për skuadrën gjatë gjithë rrugëtimit të tij.
“Tifozët pasionantë të kombëtares, mbështetja juaj ka qenë pozitive, na ka dhënë energji për të punuar çdo ditë. Nga dita e parë këtu, iu thashë: zemra nuk duhet të mungojë kurrë. Ia kemi dalë të gjithë bashkë, falënderoj të gjithë”, u shpreh trajneri brazilian.
Nën drejtimin e tij, Shqipëria arriti një nga objektivat më të rëndësishëm të viteve të fundit, kualifikimin në Kampionatin Europian 2024.





