Një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit të së martës ka përfshirë tregun e fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Mesohet se është djegur një pjesë e çatisë së tregut, ndërsa janë shkatërruar edhe raftet dhe malli i tregtarëve. Në këtë treg ushtronin aktivitetin rreth 50 tregtarë, dhe disa prej tyre kanë pësuar dëme ekonomike të konsiderueshme.
Në vendngjarje ishte edhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e cila u takua me tregtarët e prekur.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar, ndërsa policia po këqyr kamerat e sigurisë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Dyshimet e para flasin për një zjarr aksidental, i cili mund të jetë shkaktuar nga sistemi i ndriçimit elektrik në pjesën e jashtme të tregut.
Shkëndija elektrike dyshohet se ka përfshirë materialet plastike dhe më pas flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të kartonëve dhe materialeve të tjera lehtësisht të djegshme.





