Sektori i peshkimit në Durrës po përballet me një krizë të thellë për shkak të rritjes së çmimit të naftës si pasojë e konfliktit të armatosur në Lindjen e Mesme. E ndodhur në këto kushte, ku rrezikon falimentimin, flota e peshkimit në Durrës ka organizuar një protestë për t’i kërkuar ministrisë së linjës dhe qeverisë subvencionimin e çmimit të naftës.
“Çmimi i naftës është rritur shumë dhe flota e peshkimit ka hyrë në një krizë shumë të thellë. Deri tani nuk ka asnjë reagim, nuk ka asnjë lloj mbështetjeje dhe asnjë lloj sinjali që do të mbështetemi. Varkat janë të gjitha të bllokuara në port, njerëzit janë të detyruar të dorëzojnë licencat.”, Klodian Kapiti, Kreu i Sindikatës së peshkimit.
“Duhet të mbyllemi ne, të ndërpresim punën, që të kujtohen ata që janë përfaqësuesit tanë në ministri, se ky sektor, me këto çmime, nuk mund të vazhdojë punën. Çmimi 600 lekë për litër, neve na e zë nafta koston mbi 50%. Me 1000-1100 lekë për litër që është sot, ne jemi komplet jashtë kostos. Nuk mbetet as për ekuipazhin, as për të mbajtur anijet sipër ujit.”, Besim Troplini, pronar peshkarexhe.
“Çmimi i naftës të futet te bursa e transparencës, sepse çmimi i naftës po ndryshon çdo ditë.”, Nderim Mezini, ronar peshkarexhe.
Në pamundësi për të shlyer detyrimet, pagat dhe siguracionet e punonjësve, pronarët e peshkarexhave rrezikojnë të humbasin edhe krahun e punës. Punonjësit egjiptianë, që përbëjnë 80% të forcës punëtore në këtë sektor, kërcënojnë se do të largohen, pasi e kanë të pamundur të mbajnë familjet.
“Të gjithë ne do të shkojmë para Kryeministrisë dhe ministrisë, pasi egjiptianët po ikin të gjithë. Janë mbi 400 veta që punojnë këtu.”
Takimet e organizuara rreth një muaj më parë mes Ministrit të Bujqësisë dhe përfaqësuesve të sektorit nuk kanë sjellë deri më tani asnjë rezultat konkret. Në rastin e luftës në Ukrainë, kur çmimi i naftës u rrit ndjeshëm, qeveria Rama subvencionoi karburantin për sektorin e peshkimit.
/vizionplus.tv





