Një ngjarje tragjike tronditi Durrësin dhe mbarë Shqipërinë ditën e djeshme. Nikoll Radaçi 57 vjeç, në gjendje të dehur përplasi me automjet katër fëmijë që ishin duke luajtur në trotuar. Fatkeqësisht, K.Nikolli, 9 vjeç dhe E.Muçaj 12 vjeç humbën jetën, ndërsa 8-vjeçari A.Meslani u plagos rëndë dhe ndodhet në spitalin e Traumës. Fëmija i katërt shpëtoi pa lëndime.
Gazetari i Vizion Plus, Aleks Kalemasi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emision “Live në Mëngjes” bëri me dije se vogëlushëve do t’u jepet lamtumira në orën 14:00.
Ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se prindërit e njërit prej vogëlushëve që humbi jetën ndodheshin në Itali për kurimin e babait. K.Nikolli ishte me motrën dhe gjyshen në momentin e tragjedisë.
Radaçi u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Aleks Kalemasi: Sot, në orën 14:00 dy fëmijët do të përcillen për në banesën e fundit. Fëmija 8-vjeçar, i cili ndodhet në spitalin e Traumës është në gjendje të qëndrueshme. Drejtuesi i automjetit ishte i dehur dhe me shpejtësi. Gjithashtu person me precedent për sa i përket shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Arrestimi i tij i bë pak minuta më vonë. E braktisi automjetin për shkak të panikut sepse e kuptoi çfarë ka bërë. Banorët janë shprehur se ishte person problematik. Edhe pse ishte ndëshkuar disa herë me masa administrative, nuk kishte ndryshuar sjellje në rrugë. Dy fëmijët që humbën jetën janë kushërinj.
Dy prindërit e K.Nikollit kanë qenë në Itali për kurimin e babait por kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme nga Italia. K.Nikolli ishte me gjyshen dhe motrën, të cilat ishin duke blerë disa gjëra në supermarket, ndërkohë vogëlushi ishte duke luajtur me fëmijët në trotuar përballë supermarketit.
Një ditë pas aksidentit, është pezulluar nga detyra drejtori i policisë së qarkut Durrës, Afrim Tafa. Në vend të tij është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.





