Kryeministri Edi Rama ndodhet në Armeni ku mbahen punimet Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian.
Në mbërritje, kreu i qeverisë u prit nga homologu i tij Nikol Pashinyan.
Për mediat atje Rama theksoi edhe rëndësinë e këtij takimi të nivelit të lartë teksa e cilësoi si një mundësi për të treguar sa i rëndësishëm është unifikimi i Europës.
“Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Europës. Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”, tha kryeministri.
I pyetur se çfarë ofron unioni, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh qarte se rëndësi primare ka forcimi i një Europe të plotë.
“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian. Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, tha Rama.
Samiti bashkëkryesohet nga Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, dhe Nikol Pashinyan, Kryeministri i Armenisë.
48 krerë shtetesh dhe qeverish janë ftuar të marrin pjesë në këtë takim, mes të cilëve 27 vendet anëtare të BE-së, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, ndërsa për herë të parë, në këtë samit do merr pjesë dhe një shtet jo-evropian si Kanadaja.





