Gjykata e Lartë ka ndryshuar pjesërisht kriteret për caktimin e paraburgimit.
Sipas praktikës së re unifikuese, Gjykatat duhet të marrin parasysh personalitetin e personit të dyshuar kur vendosin masën “arrest në burg”.
Izolimi nuk duhet të bazohet thjesht tek natyra e veprës penale, por tek rreziqet konkrete që paraqet i pandehuri nëse lihet me një masë më të butë.
Një tjetër ndryshim është se Gjykata e Faktit tani ka detyrimin të shpjegojë pse nuk ka zgjedhur masa më të lehta sigurie, si “detyrimi i paraqitjes” apo “arresti në shtëpi”. Më parë kërkohej vetëm arsyetimi për vendosjen e arrestit në burg.
Gjithashtu, edhe prokurori duhet të argumentojë pse kërkon një masë kufizuese të lirisë dhe jo një alternativë më të butë në kërkesën që paraqet në gjykatë.
Ndryshimi i vendimit unifikues të 2011 për paraburgimet ka qenë unanim dhe ai hyn ne fuqi me botimin ne fletoren zyrtare.





