Qeveria dhe Parlamenti pritet të nisin punën për të zbatuar dy vendime të Gjykatës Kushtetuese; një vendim që synon rregullimin e formulës për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe një që ka lidhje me ngritjen e 11 Komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Këshilli i Legjislacionit i dërgoi kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi raportin për të dy vendimet e Kushtetueses.
Në raport i rekomandohet qeverisë të rregullojë formulën mbi të cilën përllogariten pagat e magjistratëve.
Ndërsa vendimin që ka lidhje me komisionet e Kuvendit do ta zbatojë këshilli për rregulloren.
Në lidhje me pagat e gjyqtarëve Gjykata konstatoi se formula aktuale ka sjellë ulje të pagës së magjistratit, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve.
Ndërsa në lidhje me ngritjen e 11 komisioneve të përhershme nga parlamenti, Gjykata konstatoi se rregullorja është ndryshuar në shkelje të Kushtetutës.





