Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është bllokuar.
Në Komisionin për Punët e Jashtme, Ministri i jashtëm Ferit Hoxha siguroi se pritet drita jeshile nga Brukseli për miratimin e raportit të IBAR.
“Procesi i IBAR-it nuk mund të japë detaje, sepse nuk jemi palë e diskutimeve dhe raporti është hartuar nga Komisioni Europian dhe janë ata që po diskutojnë në Këshill. Shqipëria nuk ka qasje në dokument; se si informohemi ne në rrugë informale, nuk mund të jap detaje”, tha Hoxha.
Por opozita u tregua skeptike duke pretenduar se bllokimi i fondeve ndaj Serbisë mund të ndikojë dhe për vendin tonë. Megjithatë kryediplomati Hoxha theksoi se dy shtetet kanë axhenda krejtësisht të ndara.
“Pas Serbisë do ta hamë edhe ne, sepse situatat i kemi të ngjashme. Ky artikull na ka dëmtuar dhe kjo është e vërtetë”, tha deputeti demokrat Tritan Shehu.
“Ajo po bën punën e saj dhe secili vend ka hartuar agjendën e reformave dhe aty janë përcaktuar masat konkrete se çfarë duhet të bëjë një vend. Shqipëria dhe Serbia kanë qasje tërësisht të ndara dhe çfarëdolloj gjëje që ndodh me Serbinë ne nuk na prek fare”, tha ministri.
Ministri Hoxha gjithashtu përgënjeshtroi dhe pretendimet e deputetit demokrat Belind Këlliçi se ka ofenduar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“10 ditë më parë kam bërë publik mesazhet që ju i keni përgënjeshtruar. Por unë i kam mesazhet. Ju i përgënjeshtruat mesazhet pas dy orësh, ndërsa keni dalë nga grupi pas katër orësh”, tha deputeti demokrat Belind Këlliçi.
“Pozicionet e mia nuk bëhen me SMS, nuk bëhen me ËhatsApp, por vetëm midis kanaleve të autorizuara që janë transparente për publikun. Mund të rrimë të diskutojmë këtë çështje, por do të ishte humbje kohe. Nuk i le askujt të drejtën që të vërë në dyshim punën time 35-vjeçare”, tha Hoxha.
Miratimi i raportit IBAR nga vendet anëtare do t’i krijonte Shqipërisë mundësinë që të hynte në fazën e mbylljes së bisedimeve për grupkapitujt.





