Vendet evropiane e kanë “marrë mesazhin” nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe tani po sigurohen që marrëveshjet për përdorimin e bazave ushtarake të zbatohen, tha të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Deklaratat u bënë gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Armeni.
Më herët, Trump kishte kritikuar disa vende të NATO-s se nuk po bënin mjaftueshëm për të mbështetur Shtetet e Bashkuara në luftën me Iran. Si shenjë e pakënaqësisë ndaj aleatëve evropianë, SHBA njoftuan të premten planin për të tërhequr rreth 5 mijë trupa nga Gjermania.
“Po, ka pasur njëfarë zhgënjimi nga ana e SHBA-së, por evropianët e dëgjuan mesazhin”, u shpreh Rutte para gazetarëve.
Ai shtoi se vendet evropiane po sigurohen tashmë që marrëveshjet dypalëshe për bazat ushtarake të zbatohen plotësisht.
Ndërkohë, Spanja ka deklaruar se bazat e saj nuk mund të përdoren për luftën kundër Iranit. Megjithatë, sipas Rutte, vende të tjera të NATO-s si Mali i Zi, Kroacia, Rumania, Portugalia, Greqia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania po i përgjigjen kërkesave për përdorimin e bazave dhe mbështetje logjistike.
Shumë vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në një mision që synon garantimin e lirisë së lundrimit nëpër Ngushtica e Hormuzit, pasi të përfundojë konflikti.





