Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq katër shtetas, të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale me pasoja të rënda.
Në bankën e të akuzuarve janë shtetasit Arsuel Curraj, Alma Guraj, Gëzim Guraj dhe Vladimir Jacaj, ndaj të cilëve rëndon vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287/3 i Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.1280, të vitit 2021, është provuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer kontrata fiktive, përfshirë shkëmbime pronash, dhurime dhe shitblerje, si dhe veprime bankare të rreme, me qëllim pastrimin e një shume prej 500 mijë eurosh.
Prokuroria bën me dije se shuma në fjalë është sekuestruar, ndërsa çështja tashmë i kalon për shqyrtim gjyqësor.
/vizionplus.tv





