Presidenti i SHBA-ve Donald Trump kritikoi kancelarin gjerman, duke e akuzuar atë për dështimin në menaxhimin e luftës në Ukrainë dhe për përqendrimin në prioritetet e gabuara.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump argumentoi se Friedrich Merz duhet të përqendrohet më shumë “në zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës”, duke vënë në dukje se deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat të konsiderueshëm.
Në të njëjtën kohë, ai foli për problemet e brendshme të Gjermanisë, duke theksuar çështjet që lidhen me migracionin dhe politikën e energjisë.
“Kancelari gjerman duhet të kalojë më shumë kohë duke i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë (ku ai ka rezultuar plotësisht joefektiv!) dhe duke rregulluar vendin e tij të shkatërruar, veçanërisht në çështjet e migracionit dhe energjisë, dhe më pak kohë duke ndërhyrë tek ata që eliminojnë kërcënimin bërthamor nga Irani, duke e bërë kështu botën, përfshirë Gjermaninë, një vend më të sigurt”, theksoi presidenti amerikan në postimin e bërë në rrjetin social.
Më herët kancelari gjerman kishte deklaruar se “kishte marrëdhënie po aq të mira me Trump, sikurse më parë”.
Trump ka kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe NATO-n për pasivitetin që kanë mbajtur për situatën në Lindjen e Mesme, duke mos e ndihmuar aleancën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe në marrjen e Ngushticës së Hormuzit nën kontroll.





