Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shfrytëzuar forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, IDU, në Zagreb për të ngritur shqetësimin e opozitës për standardet zgjedhore në Shqipëri. Në fjalën e tij Berisha akuzoi qeverinë socialiste se ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale.
“Procesi më themelor për një vend demokratik janë zgjedhjet dhe mundësia e rotacionit të pushtetit. Nëse e bllokon këtë, demokracia bie gjithnjë e më shumë. Nëse arreston dy liderë të partive kryesore të opozitës dhe vendos nën proces penal, pa asnjë arsye ligjore, edhe të tretin, në vitin e zgjedhjeve, kjo ndodhi në Shqipëri dhe në Tunizi. Të dyja i bënë këto. Pa zgjedhje, nuk ka të ardhme. Kështu që, mendoj se procesi më themelor për kombin tim duhet të rikthehet”, tha Berisha.
Berisha theksoi se Partia Demokratike e mbështet procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por ky proces duhet të bazohet në meritë. Sipas tij është qeveria shqiptare ajo që sot po e dëmton integrimin.
“Mendoj se për momentin, pengesat kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE janë e para autokracia zgjedhore. Së dyti, edhe më keq se kaq: Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Evropë”, shtoi Berisha.
Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar është organizatë që mbledh partitë e djathta dhe të qendrës nga e gjithë bota dhe forumi që po zhvillohet në Zagreb do të zgjasë 3 ditë.





