Ozgur Gokçe, vëllai i kuzhinierit të njohur Nusret Gökçe, i njohur ndryshe si “Salt Bae”, është arrestuar në kuadër të një hetimi të gjerë të Prokurorisë së Küçükçekmece-s në Turqi, nën akuzën e “ndërmjetësimit në prostitucion të një të miture”.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të natyrës së rëndë të akuzave, të cilat lidhen me organizim kriminal dhe shfrytëzim të të miturve.
Sipas autoriteteve, hetimi për prostitucion dhe ndërmjetësim në aktivitete të paligjshme kishte nisur prej disa muajsh nga Prokuroria e Küçükçekmece-s në bashkëpunim me Drejtorinë e Sigurisë Publike. Gjatë hetimeve u zbuluan grupe që dërgonin gra, përfshirë edhe shtetase të huaja, në banesa dhe hotele përmes aplikacioneve në celular.
Autoritetet kryen ndjekje teknike dhe fizike të të dyshuarve, duke zbuluar se disa prej tyre përdornin llogari bankare të personave të tretë për të menaxhuar të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme, me qëllim fshehjen e origjinës së parave.
Analiza financiare e një periudhe njëvjeçare tregoi qarkullim parash që arrinte rreth 15 milionë lira turke, të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni i paligjshëm dhe pastrim parash.
Më 17 prill, u zhvilluan operacione të njëkohshme policore në 14 adresa në Stamboll, si dhe në disa qytete të tjera të Turqisë, përfshirë Ankara, Samsun dhe Diyarbakir.
Gjatë aksionit u arrestuan 13 persona, nga të cilët 7 u ndaluan, ndërsa 6 të tjerë u liruan me masa kufizuese. Mes të arrestuarve ndodhet edhe Ozgur Gokçe, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.
/vizionplus.tv





