Kosova dhe Shqipëria do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes. Pas takimit me homologun e tij shqiptar , ministri i mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci tha se vendi i tij është në koordinim edhe me partnerët e tjerë për çështjen e bashkëprodhimit të armëve.
“Është bashkëprodhimi, pra po shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojmë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim kur të formojmë grupet dhe ekipet për identifikimin se çfarë mund të bashkëprodhojmë. Por, edhe në bashkëprokurim të sistemeve që na bëjnë të ndërveprueshëm. E kemi edhe në deklaratën me Shqipërinë dhe Kroacinë si ndër pikat kyçe bashkëprodhimin, por edhe prokurimet e përbashkëta si tri vende që të na mundësojë të jemi të ndërveprushëm dhe pajisje cilësore”, tha ministri.
Ndërsa ka shprehur shqetësimin për situatën e sigurisë në rajon, ministri i Mbrojtjes i Shipërisë, Ermal Nufi tha se forcimi i bashkëpunimit me Kosovën është thelbësor.
“Bashkëpunimi në këtë fushë është thelbësor për kapacitetet tona dhe garantimin e sigurisë të të dyja vendeve. Besoj se ky diskutim do të vijojë edhe më tej me të gjitha impiantet e prodhimit që po ngrihen në Kosovë dhe Shqipëri, si simbol jo vetëm të zhvillimit teknologjik dhe industrial, por edhe bashkëpunimit vëllazëror”, tha ministri.
Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë përfshihet edhe në deklaratën që Prishtina, Tirana dhe Zagrebi nënshkruan vitin e kaluar. Serbia e ka parë këtë bashkëpunim si aleancë ushtarake kundër saj por ky pretendim vazhdimisht është mohuar nga të tre vendet./vizionplus.tv





