Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, deklaroi mbrëmjen e kësaj të marte në “Quo Vadis” në Vizion Plus se lufta në Iran do të ketë kosto ekonomike botërore.
Sipas tij, edhe sikur nesër të përfundojë lufta, sërish goditja në ekonominë botërore do të jetë shumë e lartë.
Pjesë nga biseda:
Sefa: Aktualisht po mbart një kosto. Përveç kostove direkte, që janë armatimet, nëse PBB-ja jonë është 25 miliardë euro në vit, kaq është shuma që SHBA ka harxhuar në 2 javë, për të treguar që ka një kapacitet të madh. Kosto direkte, përveç çmimit të naftës, problemet që do të ketë SHBA do të jenë ushqimet dhe pjesët e ndërtimit.
Borakaj: Çfarë e shpëton situatën?
Sefa: Po citoj Oxford Economics, e cila thotë se edhe sikur nesër të mbarojë lufta, struktura ekonomike botërore ka ndryshuar. Rendi botëror është thyer në mes dhe bota do të shkojë drejt multipolaritetit, pasi shumë vende po rillogarisin se si do ta marrin energjinë.
Borakaj: Cilat janë burimet kryesore?
Sefa: Nuk është vetëm nafta; nga ushqimet, pjesët e celularit, kozmetika — pra ka impakt të gjerë. Dy janë polet e mëdha: Gjiri, që ka 62%, dhe Gjiri i Amerikës, që përfshin zonat e Teksasit, Oklahomës dhe Floridës. Nëse ti bllokon një nga dy polet kryesore, dhe të tretën që është Rusia, si dhe arterien kryesore, atëherë është problem që përhapet në çdo sektor të ekonomisë. Dëmi aktual ndaj aseteve dhe fuqive të prodhimit është i madh; edhe nëse nesër, sikur ta lësh të lirë Hormuzin, duhen muaj që ajo zonë të rimarrë veten. Ekonomia botërore do të ketë një dëm prej 1.1 deri në 1.5%, rreth 2 trilionë dollarë, që është sa buxheti i gjithë BE-së së bashku.





