Diplomacia e vendit tonë, sipas Ministres së Jashtme Elisa Spiropali nuk i përgjigjet nevojave të kohës.
Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, kryediplomatja shqiptare teksa prezantoi projektligjin për shërbimin e jashtëm theksoi se këto ndryshime në ligj vijnë si nevojë e kërkesave të reja.
“Projektligji për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë nuk është thjesht një përditësim teknik i një ligji ekzistues. Ai është një ndërhyrje reformuese, që lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të Shqipërisë: anëtarësimin në BE. Shërbimi i jashtëm është një nga instrumentet kryesore për ta çuar përpara këtë proces, për të ndërtuar besim tek partnerët dhe për ta përfaqësuar Shqipërinë si një vend serioz, i besueshëm dhe i përgatitur për anëtarësim. Projektligji ri është pikërisht përgjigjja ndaj kësaj nevoje: një riorganizim i thellë institucional dhe profesional, për ta përshtatur diplomacinë shqiptare me ambiciet e kohës së re dhe me kërkesat konkrete të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi Spiropali.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit të jashtëm, Igli Hasani theksoi se aktivizimi i vendit tonë në politikën e jashtme sjell dhe nevojën e shtimit të burimeve njerëzore.
“Aktivizimi i vendit tonë në politikën e jashtme sjell dhe nevojën e shtimit të burimeve njerëzore. Prandaj ky projektligj, i hap rrugën kësaj çështje. Drafti është në përputhje gjithashtu të kërkesave sa i përket integrimit, pas një procesi të gjatë konsulence me ta”, tha Hasani.
E pranishme në Komision, opozita u tregua skeptike teksa u shpreh se projektligji i ri për shërbimin e jashtëm nuk ka asnjë risi ndërsa ngriti pretendime për shkelje në emërimin e diplomatëve të jashtëm.





