Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën para kryeministrisë, u ndal edhe te “Dosja Partizani”, ku së fundmi GJKKO pranoi që të thirret kryeministri Edi Rama në rolin e dëshmitarit.
Berisha tha se shqiptarët do të shohin në sallën e gjyqit përballjen e shekullit. Ai i bëri thirrje kryeministrit Rama që të paraqitet në seancë; nëse nuk do përballje në gjykatë, ai tha se është i gatshëm të përballet në debat televiziv.
“Ai u ftua të ulet në sallën e gjykatës ballë për ballë për firmat e tij. Nga kjo tribunë u them shqiptarëve se do të shihni në atë sallë përballjen e shekullit. Këtu para jush i them Edi Ramës: nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit, të sfidoj edhe në një formë tjetër; zgjidh studion televizive dhe hajde në debat, t’u faktojmë shqiptarëve me fakte dhe dokumente se çfarë hajduti i pangopur je. Jo vetëm kaq, por çfarë ligësie shekspiriane mbart ti në qeverinë tënde. Edi Rama, koha jote e zezë ka marrë fund, jep dorëheqjen”, tha Berisha.





