Avokati Edmond Petraj, i ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka theksuar se ka nevojë që të ndryshojë Kodi i Procedurës Penale.
Duke sjellë si shembull gjyqin e zotit Ilir Meta, Petraj tha se kjo tregon që edhe kodi ynë i procedurës penale duhet të ecë krah atij evropian, ku i burgosuri ka më shumë të drejta.
Pjesë nga biseda:
Petraj: Zoti Meta ka kërkuar PC, ka kërkuar të mos jetë te dhoma e xhamtë, por afër avokatit. Janë kërkesa krejt normale në një sistem të rregullt gjyqësor. Unë nuk shikoj gabime.
Borakaj: Avokati i zotit Meta tha se sot ka qenë një seancë e tensionuar.
Petraj: Gjyqtarët nuk kanë faj, po zbatojnë procedurën. Dhjetë ditë nuk mjaftojnë për atë volum të jashtëzakonshëm, vetëm t’i numërosh nuk të del koha. Ky Kod i Procedurës Penale duhet të ndryshojë.
Borakaj: Çfarë duhet të ndryshohet tjetër?
Petraj: Duhet rivënë dorë që një i pandehur të gëzojë të gjitha të drejtat, aq më tepër që në të gjitha burgjet e Evropës i lejohet një personi të lundrojë edhe në internet, të ketë PC. Janë disa elementë që duhen parë. Edhe mënyra se si rindërtohet historiku i asaj që ka ndodhur duhet të ndryshojë e para, ose të dilet me një vendim të ndërmjetëm.





