Pas vendosjes së masës së sigurisë që i ndalon daljen jashtë Shqipërisë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Sa i përket masës së pezullimit nga ushtrimi i detyrës, Balluku nuk ka paraqitur asnjë kundërshtim, duke qenë se Apeli ka vendosur pezullimin e kësaj mase deri në një vendimmarrje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese.
Zhvillimet kanë nisur më 31 tetor 2025, kur SPAK e mori Ballukun të pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë. Në atë kohë, ndaj saj u vendos pezullimi nga detyra dhe masa e bllokimit të pasaportës. Më vonë, pas padisë së depozituar nga kryeministri Edi Rama, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e saj në detyrën qeveritare.
Hetimet ndaj zëvendëskryeministres u zgjeruan më 16 dhjetor, kur SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e saj, duke paraqitur prova dhe elementë të rinj hetimorë.
Prokuroria e Posaçme bëri me dije se Balluku po hetohet për 7 lote të Unazës së Tiranës, si dhe për tre procedura të tjera tenderuese, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë – Kashar.
Megjithatë, kërkesa për arrestim vazhdon të mbetet pa u shqyrtuar nga Kuvendi. Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e planifikuar për të mërkurën e 28 janarit në orën 12:00, u shty pa një afat të ri./vizionplus.tv





