28 janari shënon 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur dhe eruditit Ismail Kadare. Në Tiranë u organizuan një sërë aktivitetesh përkujtimore që rikthyen në vëmendje figurën dhe veprën e një prej personaliteteve më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Në kryeqytet u përurua shtatorja e Ismail Kadaresë, vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili e sjell këtë vepër në nder të trashëgimisë letrare dhe intelektuale të shkrimtarit.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme çeli një ekspozitë me letërkëmbimet e Kadaresë me personalitete të shquara të mendimit botëror. Ekspozita përfshin gjithashtu botime të rralla nga biblioteka e tij personale, artefakte dhe objekte autentike nga “Shtëpia Studio Kadare”, duke ofruar një panoramë të rrallë të jetës dhe krijimtarisë së shkrimtarit.
“Ismail Kadare është vigan i kulturës botërore dhe i vetëdijes sonë kombëtare, luftëtar i paepur i Shqipërisë europiane, ai që i dëshmoi botës se ky vend ka zgjedhur gjithmonë europën sa herë ka qenë i lirë”, tha ministrja e Jashtme Elisa Spiropali.
Aktivitetet vijuan edhe në Akademinë e Shkencave, ku u promovua vepra në tre vëllime “Kadare në kritikën botërore”, e përgatitur nga studiuesi Bashkim Kuçuku. Botimi sjell analiza dhe vlerësime të veprës së Kadaresë nga kritikë dhe studiues ndërkombëtarë, duke dëshmuar peshën dhe ndikimin e tij në letërsinë botërore.
Ndarja nga jeta e gjeniut të letrave shqipe e ka shndërruar këtë përvjetor në një homazh të thellë për shkrimtarin që i dha zë Shqipërisë duke e bërë letërsinë shqipe pjesë të pandashme të trashëgimisë kulturore botërore./vizionplus.tv





