Kohë më parë, mosha e depistimit të kancerit të qafës së mitrës ishte 40 deri në 50 vjeç, por sot kjo fashë është zgjeruar nga 35 deri 55 vjeç, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programet e depistimit duke mundësuar kapjen e kësaj sëmundje në faza të hershme.
“Lidhur me ato që quhen fashat e moshës në risk të cilat ne i ftojmë për të bërë pjesë në këtë program depistimi, Shqipëria e ka filluar me grupmoshën me risk të lartë 40-50 vjec ndërkohë që standartet Europiane janë për një moshë më të zgjeruar. Ne kemi ndjekur principin e ekuilibrit mes risqeve, kostos dhe efektivitetit që do të thotë ne jemi të ndërgjegjshëm që gratë që marrin pjesë në një program depistimi do të duhet të bëjnë ekzaminime shtesë, të përdorin sistemin shëndetësor”, tha Alban Ylli, specialist i ISHP.
Ekspertët e shëndetit theksojnë se kanceri i qafës së mitrës është më i përhapur tek moshat e reja. Sipas tyre ky infeksion nuk jep shenja deri në fazat e avancuara të shfaqjes së kancerit.
“Është një infeksion i cili nuk kuptohet. Shpeshherë edhe gjëndja prekanceroze nuk jep kur nuk është në faza të avancuara, nuk jep klinikë. Shpeshherë gratë mund të kenë një infeksion që persiston, kanë infeksione bakteriale, por jo që të kenë simptoma të një kanceri. Në simptomat kur kanceri ka avancuar në përgjithësi kanë hemorragji pas kontaktit ose postmenopauzës, dhimbje gjatë kontaktit, sekrecione me erë të rëndë dhe të ngjyrosura” , tha mjekja onkologe Afërdita Manaj.
Por si mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës. ?
“Paptesti duhet të kryhet të paktën mbi tre vite kur ke kryer marrëdhënie seksuale, është e domosdoshme çdo vit. Nëse për tre vite del negative atëherë bëhen çdo 3 vite. Për sa i përket papilloma virusit nuk parandalohet as me prezervativ. Sa më pak partner seksualë sepse mund të infektohen si nga ana e burrit dhe e grave dhe t’ja transmetojnë njëri-tjetrit. Duhet të mjekohen nga infeksionet dhe vajzat që nuk kanë kryer marrëdhënien të bëjnë vaksinimin”, shtoi Manaj.
“Mënyra e parandalimit janë dy, vaksinimi i vajzave të reja, dhe programi i depistimit të këtij kanceri.”, theksoi Ylli.
Numri i rasteve të diagnostikuara sipas specialistit të ISHP Alban Ylli vitet e fundit ka qëndruar në nivele të njëjtja dhe kjo si pasojë e depistimeve në popullatë./vizionplus.tv





