Kryeministri Edi Rama, në takimin me kryebashkiakët deklaroi se një nga elementët kryesorë që ndikon në përballimin e situatave emergjente është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, përfshirë kanalet dhe hidrovoret.
Sipas tij, kjo infrastrukturë është përmirësuar ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit, por emergjencat e fundit kanë nxjerrë në pah edhe pika problematike ku rezistenca mbetet më e dobët.
Rama theksoi se është e domosdoshme të përcaktohen me saktësi zonat prioritare ku duhet të forcohet më tej infrastruktura mbrojtëse, si edhe të përmirësohet ndërveprimi mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore në menaxhimin e emergjencave.
Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se, me propozim të ministrit Demo dhe me mbështetjen e qeverisë, do të përdoret një fond prej 20 milionë eurosh, i siguruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në mbështetje të zhvillimit rural. Ky fond do të shërbejë për blerjen e një sasie të konsiderueshme mjetesh, të cilat do të vihen në funksion të kullimit dhe pastrimit të kanaleve kulluese kryesore.
Sipas Ramës, kjo flotë mjetesh do të jetë në shërbim të bashkive dhe do të mund të përqendrojë forca shtesë në zonat ku shfaqen situata emergjente.
Rama: Një element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanale, hidrovore. Është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendos dhe institucioneve qendrore. Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjet mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive. Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën dhe në ditët e punës normale do jetë flotë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave.
/vizionplus.tv





