Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zgjedhur që komunikimin e parë për këtë vit ta zhvillojë me qytetarët në rrjetet sociale.
Berisha komentoi lajmin për arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë një lajm të mirë edhe për shqiptarët.
“Këto zhvillime në Venezuelë janë një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e vet, largimin sa më shpejt nga pushteti të një personi, të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet e tij me krimin dhe drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha lajmëroi rinisjen e protestave kundër qeverisë socialiste. E ndërsa komentoi qëndrimet e kryeministrit Edi Rama për çështjen Balluku, Berisha theksoi se tashmë edhe sistemi i drejtësisë ka rënë, ndaj protestat mbeten e vetmja rrugë për largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Të gjithë të dhënat janë se Edi Rama nuk do pranojë verdiktin e organeve të drejtësisë. Në këtë mënyrë, de facto merr edhe atë pak pushtet që kishte mbetur i pavarur në këtë sistem. Pra, ai shndërrohet në diktatorin e pushtetit absolut. Ndaj dhe përgjigja jonë do të jetë absolute ndaj tij. Kështu që do përgatitemi dhe jemi të përgatitur për protesta të reja të fuqishme nën moton: Ja vdekje, ja liri”, u shpreh ai.
Berisha lajmëroi edhe bisedime me të gjitha partitë në opozitë për të krijuar një front sa më të gjerë kundër kryeministrit Edi Rama.
“Pikërisht për të krijuar një front sa më të gjerë të përbashkët në këtë betejë vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri kundër Edi Ramës”, tha Berisha.
/vizionplus.tv





