Një sherr mes të rinjve ka përfunduar në të shtëna më armë zjarri në Vlorë mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Gjatë konfliktit një 25-vjeçar ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, dhe ka qëlluar një herë në ajër.
25-vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij janë vënë në pranga, ndërsa policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit pistoletë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:
* A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;
* M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, njofton policia.
/vizionplus.tv




