Analisti politik Endri Tafani tha se sjellja e opozitës këtë të enjte në Parlament i ka shërbyer si PD-së, ashtu edhe PS-së.
Ai tha në studion e Quo Vadis, se qeveria, duke qenë se shumë deputetë demokratë janë të pezulluar, do t’i kalojë ligjet shpejt e shpejt.
Nga ana tjetër, ai shtoi se PD-ja e bën këtë sjellje për t’i treguar popullit se po lufton për të.
Me batutë, Tafani komentoi edhe kaosin dhe dhunën që krijuan demokratët, ku tha se Saimir Korreshi rezistoi shumë, referuar edhe videove virale në rrjete sociale.
“PD-së i shërben si marketing që jemi duke luftuar për këtë popull. Por duket që është e gjitha një teatër. Politika e pranon edhe teatrin për marketing. Unë dal, përplasem në Kuvend dhe nga ana tjetër votoj Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, qeveria i kalon dhe i voton shpejt e shpejt. Plus, një pjesë e mirë e deputetëve nuk do të jenë në Parlament dhe qeveria do t’i kalojë ligjet shpejt e shpejt. Me pak fjalë, i leverdis të dyjave.
Është qesharake, më vjen keq në fakt për Korreshin, ka rezistuar shumë sot. Është e gjitha një teatër që nuk zgjidh problemet e vërteta. Problemi kryesor që ka PD është besueshmëria. Po arrin që Lëvizja Bashkë të mbledhë më shumë njerëz se PD. Brenda Partisë Demokratike ka një përplasje mes atyre që janë të rinj”, tha Tafani.
/vizionplus.tv





