Një festë kreteze në Metamorfosi të Athinës u kthye në skenë dhune në orët e para të mëngjesit të së shtunës (27 shtator), kur një sherr i vogël degjeneroi në përleshje masive me pasoja të rënda. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 në kryqëzimin e rrugëve Ermou dhe Lykourgou, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata e Kretasve të Metamorfosisë.
Sipas informacioneve, konflikti nisi për një arsye të parëndësishme, kur njëri prej të pranishmëve i tha tjetrit: “Pse më sheh? Ti më sheh, ik.” Kjo gjë ndezi gjakrat dhe brenda pak minutash situata doli jashtë kontrollit, duke përfshirë rreth 20 persona në një përleshje të dhunshme me thika. Ngjarja shkaktoi panik mes pjesëmarrësve të tjerë në festë.
Si pasojë e dhunës, katër persona u plagosën dhe u dërguan në spitalin KAT. Dy shqiptarë të lindur në vitet 1999 dhe 2000 u plagosën rëndë në kraharor, brinjë dhe sqetull. Një grek i lindur në vitin 2000, i cili tentoi të ndante sherrin, u lëndua në shpinë, ndërsa një tjetër shqiptar (i lindur në vitin 2000) mori plagë në krah, brinjë, kraharor si dhe kishte mavijosje në fytyrë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/vizionplus.tv





