Eksperti i ekonomisë Olti Rrumbullaku tha se programi i qeverisë, sa i përket pjesës ekonomike, nuk duket relativisht i plotë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Televizionin Kombëtar Vizion Plus me moderatore Pranvera Borakaj, eksperti tha se në program ka projekte që mund të zgjasin shumë në kohë, teksa shtoi se shumë projekte duhet të ishin realizuar 10 vite më parë.
Lidhur me premtimin e qeverisë për rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1200 euro brenda katër viteve, Rrumbullaku u shpreh se është një objektiv ambicioz, por i kushtëzuar nga mundësitë buxhetore.
Sa i përket realizimit të përgjithshëm të programit qeverisës, krahasuar me mandatet e kaluara, eksperti i ekonomisë nënvizoi se ndërsa te pensionet ka pasur arritje, sektorë të tjerë si infrastruktura dhe turizmi kanë mbetur pas.
INTERVISTA E PLOTË:
Pas objektivit për anëtarësimin në Bashkimin Europian rritja e qëndrueshme ekonomike është shtylla kryesore e programit qeverisës. Si e keni lexuar ju këtë program për pjesën e ekonomisë?
Rrumbullaku: Programi qeveritar, sa i përket pjesës ekonomike nuk duket relativisht i plotë. Nuk jemi ende në diskutimet e thella programore. Ka zona aty ku shumë nga projektet mund të konsiderohen si projekte që mund të ishin 5 ose 10 vite më parë, që ndoshta do marrin edhe 5 ose 10 vite të tjera për t’u bërë. Patjetër që mund të japin impakt shumë të madh në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës qytetare. Unë në fakt e pashë me detaje, dy nga shpenzimet më të mëdha që janë aktualisht për buxhetin e shqiptarëve nuk përmenden në program. Moto parku i Elbasanit dhe rruga mos gaboj Lekaj-Elbasan, pra këto janë dy fondet kryesore buxhetore.
Sa i realizueshëm iu duket premtimi për rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1200 euro brenda mandatit katërvjeçar?
Rrumbullaku: Këto konsiderohen si premtime për rritje pagash dhe premtime për rritje pensionesh. Mundësitë buxhetore gjenden, të ardhurat janë rritur me kalimin e viteve, por fakti se si bëhet kjo shpërndarje ngelet për t’u parë. Edhe te pjesa e pensioneve kemi momentalisht ndarjen në 2 grupe të mëdha, pensionistë me pensione të pjesshme dhe pensionistë me pensione të plota. Pensionistët me pension të pjesshëm, për shkak të emigracionit në vite të hershme janë në nivele shumë të ulëta. Flitej për një pension 200 euro. Ndërsa për pensionet e tjera deri në 400 euro. Është ambicioze në fakt, por duhet një angazhim buxhetor, dhe shpresoj të jenë angazhime të realizueshme.
Sa i realizueshëm duket në përgjithësi i gjithë programi, krahasuar me arritjet e realizimit të programeve të qeverisë Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3?
Rrumbullaku: Për pjesën e pensioneve ka pasur arritje, pastaj pjesa tjetër ka pasur shumë problematika, sidomos në infrastrukturë, turizëm. Madje në këto vitet e fundit është anashkaluar. Nëse turizmi vitin tjetër formohet edhe për shkak të këtyre investimeve të munguara, unë besoj që për rreth 2 vjet do ketë një fokus tjetër.
/vizionplus.tv





