Subscribe

Një jetë në internim dhe vuajtje, Simon Mirakaj ka rrëfyer në “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus, torturat që përjetoi gjatë komunizmit.

Mirakaj ka treguar se ai nuk arriti ta njohë kurrë babain e tij, ndërsa nënë dhe vëllëzërit e tij i internuan në Berat.

Ai tregoi se shpesh flinin të uritur.

Mirakaj ka theksuar se komunizmi ju mori gjithçka kishin, por asnjëherë dinjitetin.

Pjesë nga biseda:

Mirakaj: Tregonte nëna që kur kanë ardhur me na marrë na çuan në këto kampet e internimit dhe nuk na lanë as me marrë leckat që mbështillen fëmijët, dhe na kanë nisur për në Berat.

Pranvera Borakaj: Nëna juaj si shprehej për babain pasi ishte në një moshë shumë të re, ishte vetëm 23-vjeç, lehonë, sapo ju kishte lindur ju, me tre fëmijë, nuk e pa më bashkëshortin që prej moshës 23-vjeçare. Si ju fliste ju për babain?

Mirakaj: Deri në një farë moshe ne ishim fëmijë, ishim të vegjël. Pastaj nga mosha 14-15 vjeç filluam me e pyet, dhe kanë qenë një çift sipas asaj që e konceptonim ne që shkonin jahstëzakonisht mirë njëri me tjetrin. Baba ishte një njeri që i pëlqente muzika, i binte çiftelisë dhe violinës, kanë shkuar jashtëzakonisht mirë. Një herë më tregon vëllsi e kishte gjetur nënë duke qarë, lante rrobat dhe po qante në një mënyrë, një qarje me vargje për babain.

Pranvera Borakaj: Çfarë qante me vargje?

Mirakaj: Nuk e kujtoj mirë.

Pranvera Borakaj: Po kur ju e pyesnit ku është babai?

Mirakaj: Mbaj mend kur ishim fëmijë 5-6 vjeç dhe e pyesnim, na thoshte është në qiell, ai ishte i ikur në mal. Më vonë pastaj sigurisht që nuk kishte momente shumë të qeta që të pyesnin për babën, se ishte puna e rëndë. Pastaj kur shpëlodheshim dëgjonim radion, se donim të njiheshim me botën përmes Italisë.

Pranvera Borakaj: Kishte momente që nëna e fajësonte babain për sjelljen, ndoshta dhe më vonë kur edhe ju u rritët dhe mund të bisedonte me ju, edhe pse ajo ndërroi jetë kur ju ishit në internim dhe nuk shijoi asnjë ditë në demokraci, ku ndoshta mund të ishte edhe më e lirë për tu shprehur. Kishte momente kur thoshte se ndoshta mund të kishte zgjedhur një jetë tjetër?

Mirakaj: Jo në asnjë sekondë.

Pranvera Borakaj: Ju thoshte juve i ngjani babait.

Mirakaj: Jo, baba ishte i gjatë dy metra.

Pranvera Borakaj: Po në karakter?

Mirakaj: Në karakter po, kemi ngjashmëri shumë. Në atë tmerr që kemi kalaur ne, ka pas një karakter të fortë. Ata jo vetëm të jepnin punën e rëndë, por donin të të merrnin dhe dinjitetin, se ata e dinin që ka një fillim dhe një fund, donin që dhe në këtë fund të mos dilnim në skenë. Ata na i morën pasuri e të tjera, por dinjitetin nuk na e morën dot.

/Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *