Teksa bëri bilancin e vitit që po lëmë pas, kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi është i bindur se viti 2021 do të sjellë ndryshimin që aq shumë pritet nga shqiptarët. Përmes një postimi në “Facebook”, ai zgjodhi të urojë qytetarët ndryshe, duke ju kujtuar se duhet të zgjohen për të bërë më të mirën për vendin.

 

“Po lëmë pas një vit të vështirë dhe të pazakontë dhe i vetmi ngushëllim është se në këtë hall nuk jemi vetëm, por po e vuan njësoj gati e gjithë bota. Natyrisht, duke i hequr nga llogaria faturën e paudhësive tona, të cilën e kemi marrë parasysh gjithmonë për ta paguar, pavarësisht tërmetit dhe pandemisë, që i patëm “peshqesh” gjatë këtij viti. Uroj shumë që ta kemi lënë pas më të keqen, ndërkohë që e kemi detyrim të bëjmë më të mirën për atë që na pret, duke filluar nga nesër. Mendoj se do të jetë një vit premtues për ata që besojnë realisht tek ndryshimi, edhe pse nuk dua t’i ndaj shqiptarët në të dorëzuar dhe guximtarë.  Mendoj se është tamam koha për t’i thënë mjaft këtij mallkimi, që zgjat kaq pafundësisht, kur fatet e vendit i vendosin një pakicë fanatikësh trepartiakë, të cilët janë njëkohësisht komisionerë, numurues, policë, trafikantë, doganierë, protestues, tatimorë dhe mafiozë në këtë vend. Ky do të jetë viti i shqiptarëve të lirë dhe kurajozë. Gëzuar!”

 

Në urimin e tij, Patozi nuk la pa “shigjetuar” liderët aktualë të politikës, si edhe ata që presin prej tyre.

 

“E kam të pamundur të mendoj se do të zbresë ndonjë dhuratë nga qielli për ata që kurrë në këtë jetë, por ndoshta as në atë tjetrën, nuk kanë marrë ndonjëherë një vendim të rëndësishëm pa shikuar majtas dhe djathtas se çfarë do të thonë të tjerët, por sidomos pa bërë atë pyetjen e tmerrshme se çfarë do të mendojë për këtë shefi. Në jetë dhe në familjet e tyre uroj që të kenë veç gëzime dhe mbarësi, por unë nuk kam asgjë tjetër për të ndarë me ata që kanë marrë lapsin dhe po bëjnë kalkulimet e fundit, duke pritur me zemër të ngrirë, nëse do t’u lexohet apo jo emri në listën e ditës së fundit dhe duke u lutur për “zotin” e vetëm, që ata besojnë. Sepse ata i konsideroj njësoj të humbur, edhe nëse kryetari i partisë së tyre mund të rezultojë fitues ditën, kur të kenë mbaruar zgjedhjet.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *