Subscribe

Zyrtarizohet lëvizja brenda Partisë Demokratike që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës. Në një deklaratë zyrtare, Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj dhe Endrit Hoxha bëjnë Bashën përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve.

 

“Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nga Partia Demokratike ka përgjegjësit e saj e në radhë të parë kryetarin Z. Lulzim Basha! Ai, ndër të tjera, ka shuar ëndrrën për demokraci të qindra mijëra shqiptarëve, duke humbur dy palë zgjedhje të përgjithshme, duke dorëzuar pushtetin qëndror, pushtetin vendor dhe opozitarizmin në dorën e Edi Ramës.”

 

Duke kujtuar sesi Sali Berisha hoqi dorë nga drejtimi i partisë kur humbi zgjedhjet në 2013, ata kërkojnë që të njëjtën gjë të bëjë edhe Basha.

 

“Lulzim Basha, që prej vitit 2013, kur mori drejtimin e partisë, e ka drejtuar atë pa profesionalizëm dhe pa dinjitetin e nevojshëm institucional. Ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë i mpakjes dhe, shpesh, edhe i shuarjes në mënyrë arbitrare të shumë strukturave të partisë, të largimit të shumë anëtarëve, themeluesve, dhjetoristëve, kontributorëve më të denjë, të shtyllës së saj kurrizore, të çdo individi dhe zëri të lirë, që nuk binte dakord me këtë mënyrë drejtimi të Partisë Demokratike, duke mos lënë mundësinë për asnjë forum të hapur dhe duke eleminuar demokracinë e brendëshme në Parti. Me Lulzim Bashën në krye të PD-së historia e këtyre tetë viteve të fundit është një histori dështimesh të Partisë Demokratike. Me paaftësinë, me veprime të gabuara dhe pa një strategji politike, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, me spastrimet e filluara në 2014-tën dhe të përsëritura periodikisht, me mungesën e plotë të respektit për organet e brendshme të partisë dhe për votën e anëtarëve të saj, Lulzim Basha i shërbeu humbjes së fundit.Për këto arsye dhe shumë të tjera, ne, kërkojmë dorëheqjen e menjëherëshme dhe të parevokueshme të Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha, të Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-sëe të nën-Kryetarëve. Ne kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me qëllim hapjen e rrugës për të nisur një proces rrënjësor reflektimi dhe analize, të domosdoshëm dhe jetësorë për Partinë, proçes, i cili të mundësojë zgjedhje të jashtëzakonshme, me një garë të drejtë, të hapur e demokratike për strukturate reja drejtuese të Partisë, bazuar në modelet më të mira të partive tona simotra të së djathtës klasike. Partia Demokratike duhet të kthejë demokracinë në strukturat e saj, fjalën e lirë, konkurueshmërinë, vendimin kolegjial dhe garën e pastër e të pakompromentuar.”

 

Ata bëjnë thirrje që kësaj lëvizjeje t’i bashkohen edhe anëtarë të tjerë të PD.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *