Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas mbërritjes në Portin e Vlorës të delegacionit të Global Sumud Flotilla, i cili kishte deklaruar më herët se do të “shpëtonte” ishullin e Sazanit.
Rama ka ndarë videon e publikuar nga drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, e cila tregon pritjen që iu bë anëtarëve të delegacionit në Vlorë.
Me ironi, kryeministri shkruan se “revolucionarët e rrenave” kanë çoroditur opinionin publik me atë që ai i cilëson si “marrëzitë e tyre”.
POSTIMI I EDI RAMËS:
Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temianit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre.
Gjithësesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për “pritën” e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit.
Delegacioni i Global Sumud Flotilla mbërriti sot në Portin e Vlorës, pasi kishte njoftuar në rrjetet sociale se do të udhëtonte drejt Sazanit.
Në port, ata u pritën nga zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Marinela Prifti, dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.
Hysaj ka deklaruar se shkoi personalisht në port për të pritur delegacionin dhe se anëtarëve iu ofrua mundësia për të vizituar ishullin e Sazanit, si edhe për të marrë informacion zyrtar mbi të.
Sipas saj, delegacioni refuzoi vizitën në Sazan dhe nuk pranoi as të ndiqte prezantimin informues të përgatitur për ta.
Më pas, sipas Hysajt, anëtarët e delegacionit njoftuan se do të udhëtonin drejt Tiranës për t’iu bashkuar “Revolucionit”.
/vizionplus.tv





