Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, lidhur me situatën në Kosovë.

 

Senatorët amerikanë, sipas një njoftimi të Presidencës serbe, i kërkuan Serbisë vetëpërmbajtje dhe bën thirrje për paqe.

 

“Murpy, Shaheen dhe Ricketts i thanë presidentit Vuçiç se ata kërkojnë vetëpërmbajtje nga Serbia dhe thirrje për paqe sepse kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.

 

Sipas këtij njoftimi, gjatë kësaj bisede, tema e vetme ka qenë situata në veri të Kosovës, raporton REL.

 

Vuçiq u ka thënë senatorëve amerikanë se “qartazi dhe pa asnjë dyshim”, arrestimi i Millun Millenkoviq- Llune ishte provokim dhe një krim, që sipas tij, u krye nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Presidenti serb tha se Kurti po “tenton të provokojë një luftë në zemër të Evropës”.

 

“Serbia po bën gjithçka për të ruajtur paqen, por populli serb në Kosovë i është ekspozuar torturës dhe ndjekjes më të keqe në 15 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

 

Gjatë 13 qershorit, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq- Llune. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”. Ai, sipas Sveçlës, ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të NATO-s në Zveçan më 29 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *