Fjalimi i profesorit Lush Susaj para qytetarëve në protestë u bë shumë shpejt viral. I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, pedagogu i njohur foli për arsyet që iu bashkua protestës.
Susaj tha se arsyet janë të shumta, duke nisur nga arsimi, te shëndetësia dhe bujqësia.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Fjalimi juaj është një nga më viralët në rrjetet sociale. Si u gjendët ju në protestë?
Susaj: Fjala ime aty, si edhe çdo ditë të jetës sime, ka dy veçori: flas pa letër dhe them të vërtetën. Nga goja ime sot e një mijë vjet nuk ka dalë asnjë fjalë që nuk është e vërtetë. Ajo fjalë është pjesë e asaj që di. Unë jetoj përditë dhimbjen e largimit të rinisë, degjenerimit total të bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë.
Këta thonë “shëndetësia falas”. Në orën 1 të natës m’u sëmur gruaja. Ju betohem se për një orë qëndruam në spital dhe nuk do të më hapnin kartelën. Kalova rrugën në një spital privat, pagova 180 mijë lekë dhe shpëtova gruan.
Unë paguaj taksa çdo ditë për mjekë e infermierë, por nuk më pyeti askush. Duke parë shtetin në këtë situatë dhe rininë e pashpresë, sepse ky vend nuk u braktis nga lufta, e kuptoj më mirë problemin. Në Evropë shoh një tjetër mjedis, ndërsa këtu një mjedis krejt tjetër.
Sot jemi më keq se para viteve ’90. Pse ikin njerëzit? Sepse këtu është mbjellë sistemi i mjerimit.





