Subscribe

Operacionet e policisë të koduara “Vjeshtë 2017”, nisën në shtator të këtij viti, fill pas deklaratës së kryeministrit Rama për kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që siç tha ai sfidojnë shtetin me makina luksoze apo dhe pasuri që nuk i justifikojnë.

 

Në total deri më tani, policia ka sekuestruar mbi 6 milionë euro pasuri dhe me dhjetëra makina luksoze mes tyre edhe të blinduara. Ndërhyrja e Forcave speciale nisi fillimisht në Vlorë, ku sekuestroi kanabis në vilën e vëllezërve Peçaj në afërsi të zonës së njohur si “Uji i Ftohtë”.

 

211 kilogramë hashash shërbyen që të niste verifikimi i pasurive të të arrestuarve, ndërsa pas pak kohësh vila e tyre u sekuestrua në bazë të ligjit antimafia. Një javë më pas policia referoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 9 njësi tregtare 8 banesa me një sipërfaqe totale prej 678 metrash katrorë dhe 15 automjete luksoze të gjitha të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.

 

I njëjti operacion vazhdoi në Lezhë ku policia me vendim gjykate sekuestroi 2 njësi tregtare, 1 vilë trekatëshe, tokë me sipërfaqe 15 mijë metra katrorë dhe 5 makina luksoze. Sipas bluve vlera e pasurive shkonte 670 mijë euro. Dy ditë më pas më 15 shtator në Elbasan, blutë sekuestruan 15 milionë lekë. Në pranga ranë dy vëllezërit Koçiaj, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Për rastin, policia nuk dha shumë detaje përveç se Gjykata i kishte dënuar vlonjatët me banim në Elbasan për veprat penale të pastrimit të parave.

 

Ne të njëjtin qytet policia do të duhej të rikthehej sërish. Ne vijim te operacionit Nikolin Janinës nga Vlora iu sekuestruan 5 apartamente në Tiranë e Vlorë, dy garazhde si dhe 31 mijë metra katrorë tokë në zonën Drimadhës në Himarë. Ndërkohe ne Fier dhe ne kryeqytet 24 orëve te fundit u sekuestruan 16 makina luksoze dhe nje kazino. Këto pasuri dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *