Të hënën drejtuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë do të nisin raportimin në kuvend për të vitin 2025.
I pari që do do të përballet me deputetët është Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela i cili në 15 qershor do të raportojë para Komisionit të Ligjeve.
Përgjatë ditëve në vijim do të raportojnë tek Ligjet e gjithë kupola e sistemit të drejtësisë; drejtuesi i SPAK-ut Klodjan Braho, Inspektori i lartë i Drejtësisë Artur Metani, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Të gjitha figurat kyçe të sistemit të drejtësisë do të paraqiten edhe para Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, i cili me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit ka kompetencë miratimin e rezolutës së Kuvendit dhe ndjek zbatimin e rekomandimeve që ka dhënë parlamenti.
Raportimi në parlament i institucioneve të pavarura është parashikuar të bëhet në datat 22 dhe 23 qershor, në 2 seanca të posaçme.
Pas ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit SPAK-u nuk do të raportojë më në seancë plenare, gjithashtu edhe rreth 20 institucione kushtetuese apo të krijuara me ligj.
Për këtë arsye në seancë plenare do të paraqiten vetëm 5 institucione; Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Avokati i Popullit.





