Policia e Shtetit ka goditur një skemë kriminale të trafikimit dhe tregtimit të sendeve me vlerë, të dyshuara si të vjedhura jashtë vendit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Stolen Gold”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, është arrestuar një 27-vjeçar, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, autorët siguronin bizhuteri ari dhe argjendi, ora luksoze dhe sende të tjera me vlerë në Itali dhe Greqi, të cilat më pas futeshin kontrabandë në Shqipëri dhe tregtoheshin në argjendari të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
Në pranga ka rënë shtetasi D.S., 27 vjeç, banues në fshatin Kreshpan të Fierit. Nga veprimet hetimore dyshohet se ai siguronte në mënyrë të kundërligjshme sende me vlerë të përfituara nga vjedhje të kryera jashtë territorit shqiptar dhe i shiste më pas në subjekte tregtare të ndryshme.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi bizhuteri, ora të markave të ndryshme, sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore, si dhe fishekë arme gjahu.
Në vijim të operacionit janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtatë administratorë argjendarish në Fier dhe Lushnjë, të cilët dyshohet se blinin dhe tregtonin mallrat e siguruara nga 27-vjeçari. Sipas policisë, në subjektet e tyre janë konstatuar edhe mallra pa dokumentacion ligjor të origjinës dhe sende të dyshuara si kontrabandë.
Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi B.A., 45 vjeç, banues në fshatin Kraps të Fierit. Hetuesit dyshojnë se ai ushtronte të njëjtën veprimtari kriminale, duke siguruar sende me vlerë jashtë vendit dhe duke i tregtuar më pas në argjendaritë e Fierit dhe Lushnjës. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën bizhuteri ari dhe argjendi, ora të markave të ndryshme si dhe një shkop gome i ngjashëm me atë të Policisë.
Policia ka sekuestruar 15 kilogramë e 259 gramë ar, 4 kilogramë e 281 gramë argjend, 612 ora të markave të ndryshme, 13 varëse me gurë diamanti, sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore, shuma parash në lekë dhe euro, telefona celularë, pajisje DVR dhe prova të tjera materiale.
Sipas autoriteteve, vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet në rreth 2 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe dokumentimin e plotë të skemës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.





