Në procesin për transparencën me publikun, drejtori i Policisë së Tiranës Oliger Torba ka bërë bilancin për muajin maj e deri më tani sa i takon krimeve të shënuara në kryeqytet.
Për afro 1 muaj e gjysëm janë evidentuar mbi 1400 vepra penale ku zbulueshmëria e tyre ka qënë mbi 92%.
“Për këto vepra penale janë identifikuar 1376 autorë të dyshuar, nga të cilët 247 janë vënë në pranga (arrestuar ose ndaluar), 1055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim. Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 58 operacione policore për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, goditjes së lojërave të fatit, call-centerave, prostitucionit, krimeve ndaj personit dhe pronës etj”, tha Toba.
Krahas krimeve të rënda, policia ka goditur dhe rastet e grabitjes së banesave apo bizneseve, ku pjesa më e madhe janë arrestuar nga blutë.
“Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 205 raste dhe janë zbardhur 169 prej tyre ose 82%. Për këto raste janë evidentuar 196 autorë, nga të cilët janë vënë në pranga 57, janë proceduar penalisht 101 dhe 38 janë shpallur në kërkim”, tha Toba.
Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar dhe disa makinat me vlerë deri në 500 mijë euro.
“Janë zhvilluar 6 faza të operacionit të koduar “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, ku janë sekuestruar 6 automjete me vlerë nga 50.000 deri në 500.000 euro. Për këto raste janë proceduar 6 shtetas”, tha Toba.
Ndërsa drejtori i Policisë Kufitare në Tiranë Ermal Haxhi tregoi shifrat e fluksit të turistëve në Rinas për muajin maj.
“Gjatë muajit maj 2026, në pikën e kalimit kufitar Aerporti Rinas janë përpunuar 1.234.500 shtetas dhe 7.480 avionë. Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 47.358 shtetas dhe 270 avion, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare ne kete fillim sezonit turistik”, tha Haxhi.
Ndërkohë në aeroportin e Rinasit, policia ka goditur krimin sa i takon mallrave kontrabandë, mosdeklarimi i të ardhurave, falsifikimi i dokumenteve, emigracion i jashtëligjshëm etj.





