Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili dha alarmin se reforma në drejtësi po shkatërrohet nga mazhoranca. Duke komentuar nismën e PS për të ndryshuar ligjin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Vasili deklaroi se ky është një grusht shteti.

 

“Rilindja ka ndërmarrë një grusht të vërtetë shteti kundër Reformës në Drejtësi. Ka ndërmarrë një grusht të vërtetë shteti, kundër shtetit ligjor. Ka ndërmarrë një grusht të vërtetë shteti ndaj çdo të drejte dhe çdo integriteti ligjor minimal të shtetit shqiptar. Po propozohet që betimi i gjykatësve kushtetues të bëhet jo më nga buza e Lanës, siç u bë betimi i supozuar, imagjinar i një kandidate Arta Vorpsi, po të kthehemi tek betimi tek posta e lagjes. Pra me një letër të depozituar në postë, të nisur në postë.”

 

Sipas tij, e gjitha kjo po bëhet për të kapur Gjykatën Kushtetuese e për të vrarë ëndrrat e shqiptarëve për drejtësi. Vasili tha kjo se është një kambanë alarmi që duhet t’u shërbejë shqiptarëve për të reaguar.

 

“I gjithë veprimi që po konsumohet është finalizimi i kapjes të drejtësisë, shkatërrimi përfundimtar i Reformës në Drejtësi, dhe shkatërrimi i ëndrrës së shqiptarëve për të patur një drejtësi të paanshme, të drejtë e të barabartë për të gjithë në mënyrë që të krijohen institucione të tilla të kapura siç është në radhë të parë e mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese për të pamundësuar e për të mos lejuar hetimin, dërgimin para drejtësisë, gjykimin e çështjeve të mëdha qindra milionëshe. Sot këmbanat e alarmit po bien më fortë se kurrë dhe sot të gjithë duhet të jenë në këmbë, të papajtueshëm sepse këtu praktikisht shteti i së drejtës ka rënë përtokë dhe iluzioni i Reformës në Drejtësi shuhet këtu me deformimin, shkatërrimin, shpartallimin e ligjeve, ende pa filluar zbatimi i tyre.”

 

Mazhoranca ka ndërmarrë një nismë ligjore përmes së cilës shmang ngërçin e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në rast se presidenti refuzon ta bëjë procedurën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *