Subscribe

Violeta Kadzadej i ka kushtuar një libër ikonës së muzikës shqiptare, të ndjerës Vaçe Zela.

“E papërsëritshmja Vaçe” e ka titulluar shkrimtarja botimin e saj, në të cilin tregon kujtime të fëmijërisë së këngëtares që u nda nga jeta në 6 shkurt 2014.

Libri paraqet copëza kujtimesh që na kthejnë pas në kohë dhe tregojnë thjeshtësinë e një jete mbi të cilën u ngrit një art i madh.

Për të treguar më tepër rreth këtyre kujtimeve dhe fëmijërisë së artistes së madhe, e ftuar në “Vizioni i Pasdites”, në ekranin e Vizion Plus, të moderuar nga Brikena Prifti, ishte pikërisht shoqja e saj e ngushtë.

Zonja Violeta tregon se si është njohur me artisten e madhe qëkur ishin fëmijë. Që nga takimi i tyre i parë, ato u bënë shoqe jete dhe nuk u ndanë.

“Vaçja nuk kishte as radio, as gramafon, por kishte një familje të mrekullueshme që e bëri të afrohej me çdo gjë në vendin tone. Mua më futën në foshnjore (para kopshtit). Nga ana tjetër pashë një fytyrë që e kisha parë në Lushnjë. Edhe ajo më pa dhe që nga ai moment nuk u ndamë kurrë. Në qoftë se flasim për Vaçen gjithë fisi im e ka si të vetën. Kur mbaruam gjimnazin ajo shkoi në Lushnjë, ndërsa unë vazhdova rrugën time në Universitet. Kur vinte ajo në Tiranë, shtëpia ime ishte shtëpia e saj. Kur vinte dhe nuk gjente njeri në shtëpi, e dinte ku ishte çelësi i shtëpisë.

Përveç shkollës 7-vjeçare që ishte në atë kohë në Lushnjë, edhe në gjimnaz ishim bashkë. Për mua ishte lumturi e madhe që të kisha me vete shoqen e jetës. Vaçe ishte vajza e madhe e familjes së tyre dhe ne u lidhëm shumë. Çdo gjë e dija unë. Na afroi fëmijëria, mosha, klasa, shoqet rreth e rrotull. Ajo vinte më lehtë në shtëpinë time se ne ishim një familje e vogël. Pastaj aty në Lushnjë ajo filloi të këndojë. Kënga e parë e saj ishte kur flisnim për stinët, këndonim për stinët, flisnim për ngjyrat. Ajo kishte ngjyrën e kuqe, unë kisha të bardhën.”

Zonja Violeta ka ndarë në studio edhe disa nga vargjet e para të Vaçe Zelës.

“Të gjitha heshtni, mos u pengoni, por të gjitha mua më shikoni. Unë jam e kuqja, ngjyrë e kujtdo se mbaj ngjyrën e flamurit tonë.”

E ndërsa moderatorja Prifti e pyet se cili është kujtimi më i bukur që ka me Vaçen, zonja Leta nuk mund të veçojë një. Por kohën e gjimnazit e ruan me fanatizëm.

“Të gjitha të bukura janë. Në gjimnaz erdhi një javë më vonë. Gjimazi i Tiranës “Qemal Stafa” ishte me emër të madh. Hynim duke qeshur, dilnim duke qeshur. Unë e kujtoj si kohën më të bukur të jetës. Të gjithë ishim shumë të dashur me njëri-tjetirn. Një miqësi e madhe që ruhet deri sot. Nuk jetojnë të gjithë.”

Ajo ka treguar edhe kuptimin e emrit të artistes.

“Të gjithë thonë çfarë është ky emër. Vaçe kishte një gjyshe që ne i thërrisnim “nana”. Kemi shumë kujtime nga ajo. Gjyshja kishte një vajzë (halla e Vaçes) dhe ajo e kishte emrin Vaçe. Ia thanë Vaçe sepse halla e Vaçes kishte vdekur shumë e re.  Jetën e Vaçes e ndaj në dy kohë, e para është fëmijëria dhe e dyta kur u bë e madhe. Nuk ka njeri pa fëmijëri. Nga ajo Vaçja e vogël që këndonte me shpirt nëpër shkolla, në shtëpi, në dasma, u bë ajo e madhja. Çdo njeri ka gjëra të vështira në jetë. Ajo ishte shumë inteligjente.”/vizionplus.tv  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *