Ukraina ka shpallur të shtunën e katërt të nëntorit si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Holodomorit dhe për çdo vit përkujton personat që vdiqën në këtë tragjedi, që shumica e ukrainasve konsiderojnë se ishte një akt gjenocidi, që kishte për qëllim të zhdukte fermerët ukrainas.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që në dritaret e tyre të vendosin qirinj në orën 16:00 për të përkujtuar viktimat e Holodomorit.

Miliona vdiqën pasi autoritetet sovjetike detyruan fshatarët në Ukrainë që t’iu bashkoheshin fermave kolektive, duke iu kërkuar atyre grurin dhe produktet e tjera ushqimore.

Shifrat e personave që vdiqën në këtë periudhë variojnë nga 3 deri në 7 milionë njerëz.

Kisha Ortodokse ukrainase përmes një deklarate tha se sot “ne mund të flasim për të vërtetën (rreth tragjedisë) dhe këtë duhet ta bëjmë me zë të lartë sepse e keqja nuk duhet fshehur, siç u bë për dekada, nga regjimi sovjetik”.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe të Australisë në Kiev, shprehën solidaritetin e tyre me qytetarët ukrainas dhe u zotuan se kurrë nuk do të harrojnë këtë tragjedi dhe viktimat e kësaj ngjarjeje.

“Ne bashkohemi me njerëzit e Ukrainës duke kujtuar personat që humbën jetën gjatë tragjedisë së vitit 1932-33 të Holodomorit”, thuhet në një postim në Twitter të ambasadës amerikane të Kiev. Në këtë postim po ashtu është bashkëngjitur një video-mesazh i ambasadorit amerikan në Kiev, William Taylor, i cili e ka përshkruar tragjedinë si artificiale dhe që ka ardhur si pasojë e veprimeve të autoriteteve sovjetike.

Parlamenti ukrainas më 2006 e ka shpallur Holodomorin si “gjenocid” ndaj popullit ukrainas.

Rusia e hedh poshtë këtë gjë, duke mohuar se autoritetet sovjetike në mënyrë sistematike kanë pasur për cak ukrainasit.

Autoritetet ruse theksojnë se të korrurat e pakta në atë kohë prekën shumë pjesë të Bashkimit Sovjetik dhe shumë rusë, kazakë dhe të tjerë vdiqën në këtë periudhë,

Të paktën 15 shtete e njohin si gjencodi Holodomorin, por jo edhe Shtetet e Bashkuara./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *