Turqia ka pezulluar të gjitha importet dhe eksportet me Izraelin. Lajmin e bëri të ditur ministria turke e Tregtisë, duke sqaruar se ky vendim do të jetë në fuqi deri në momentin që qeveria izraelite të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
“Transaksionet e eksporteve dhe importeve në raport me Izraelin janë ndaluar dhe ndalesa përfshin të gjitha produktet. Zyrtarët në Turqi do të koordinohen me Autoritetin Palestinez për t’u siguruar që palestinezët të mos preken nga pezullimi i importeve dhe eksporteve”, tha ministria turke e Tregtisë.
Lexo edhe :
Related Posts
Në lidhje me këtë hap të Turqisë ka reaguar ministri i jashtëm I izraelit, i cili e akuzoi presidentin turk Erdogan se po vepron si një diktator.
“Kështu sillet një diktator, duke shpërfillur interesat e popullit dhe biznesmenëve turq dhe duke injoruar marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë. Izraeli do të shfaqet me një ekonomi të fortë dhe të guximshme. Ne fitojmë dhe ata humbin”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Izrael Katz.
Muajin e kaluar Turqia njoftoi kufizime të tregtisë së eksportit në Izrael për 54 produkte duke përfshirë çimento, çelik, alumin, materiale ndërtimi dhe pajisje hekuri, në përgjigje të luftës në Rripin e Gazës.
Turqia e ka njohur Izraelin në vitin 1949. Nën udhëheqjen e Erdoganit tensionet janë rritur mes dy shteteve. Udhëheqësi turk ka intensifikuar kritikat e tij ndaj Tel Avivit pas ofensivës ushtarake në Gaza, duke e akuzuar se po kryen krime lufte dhe gjenocid. /vizionplus.tv






