Presidenti amerikan, Donald Trump ka firmosur vendimin për rritjen e taksave mbi importin e çelikut dhe aluminit në SHBA, duke shpërfillur paralajmërimet e përsëritura nga një numër i madh i aleatëve të tij, me në krye Bashkimin Evropian, mbi rreziqet e një lufte tregtare me pasoja të paparashikueshme.

 

Këto taksa, që do të jenë 25% për importin e çelikut dhe 10% për atë të aluminit, do të hyjnë në fuqi për 15 ditë.

 

Kanadaja, partneri kryesor tregtar dhe furnitori i parë i çelikut për SHBA-të, për momentin do të përjashtohet, bashkë me Meksikën. Kjo le të hapur mundësinë për të negociuar edhe me vende të tjera.

 

Megjithatë, partnerët e mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara e dënuan ashpër vendimin. Kina e përshkroi këtë si një sulm serioz ndaj sistemit ndërkombëtar të tregtisë. Për ministrin francez të Ekonomisë, Bruno Le Maire, lufta tregtare do të prodhojë vetëm humbës.

 

Por Trump këmbëngul se Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur prej kohesh prej tregtisë së pandershme dhe tarifat, sipas tij, do t’i japin një shtysë të fortë industrisë amerikane. Shoqatat kineze të çelikut dhe metalit kërkuan shpagim duke e nxitur qeverinë të shënjestrojë importet amerikane përfshirë ato të qymyrit, produkteve bujqësore dhe elektronike.

 

Koreja e Jugut gjithashtu kërcënoi se do të ankohet tek Organizata Botërore e Tregtisë. Ndërsa Kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, Martin Wansleben deklaroi në Berlin, se SHBA me këtë hap dëmtojnë jo vetëm ekonominë botërore, por edhe veten. Një shkallëzim i doganave europiane duhet penguar në çdo rast ka thënë Wansleben.

 

Ndërsa eurodeputeti për politikën e Jashtme në BE, David McAllister tha se bëhet fjalë për një “sprovë” të marrëdhënieve transatlantike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *