E shtunë, 17 Tetor 2026 Diagnozë deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Lamallari takim me homologun holandez, në fokus forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ndodhet për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës, ku zhvilloi një takim me homologun e tij, ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë, David van Weel.

Në fokus të bisedës mes tyre ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë, zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Reklamë

Lamallari bëri të ditur se palët diskutuan mbi një marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive, e cila tashmë është ndarë nga Ministria e Punëve të Brendshme me autoritetet holandeze. Kjo marrëveshje synon të krijojë një kuadër më të fortë për bashkëpunimin institucional dhe operacional mes dy vendeve.

“Rikonfirmova vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare dhe ndava me të rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftë kundër krimit të organizuar, përfshi ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve pranë Policisë së Shtetit  dhe menaxhimin efektiv të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara duke evidentuar potencialin e bashkëpunimit në drejtim të forcimit të mekanizmave të hetimit financiar dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese”, thotë ministri Lamallari.

Reklamë

Më tej ai rikonfirmoi angazhimin për të thelluar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional policor.

“Konfirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional policor. Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës në proceset tona reformuese dhe në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Progresi ynë me negociatat është evident dhe objektivi ambicioz për përmbylljen e fazës teknike brenda 2027 është plotësisht i arritshëm”, shkruan Ministri i Punëve të Brendshme në rrjetet sociale.  Gjatë qëndrimit në Hagë, ministri Lamallari do të zhvillojë takime të tjera në Eurojust dhe Europol.

Vazhdo të lexosh

Reklamë