Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut ku mbetën të vdekur 59 persona.
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 1.500 pjesëmarrës në një klub nate, kanë bërë të ditur autoritetet maqedonase. Deri më tani janë identifikuar 35 viktima, prej tyre 31 nga Koçani dhe 4 nga Shtipi.
Lexo edhe :
Related Posts
Përmes një postimi në Facebook, Berisha i ka shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave dhe gjithashtu i uron shërim të shpejtë të lënduarve.
Berisha: Një tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut Miq, një tragjedi e rëndë ka ndodhur në vendin mik. Në një diskotekë në qytetin Koçan, Maqedonia e Veriut, 59 të rinj, të moshave 14-25 vjeç, humbën jetën tragjikisht nga zjarri, ndërsa 155 të tjerë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme dhe helmim nga monoksidi i karbonit. Ndër ta, 18 janë në gjendje të rëndë.
Me këtë rast, shpreh ngushëllimet më të ndjera të mia dhe të Partisë Demokratike për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin tonë me autoritetet lokale dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, lutemi për një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të të plagosurve në këtë tragjedi të tmerrshme.
Të paktën 155 persona kanë mbetur të lënduar, mbi 80 prej tyre janë transferuar në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN. Ai ka bërë të ditur se janë lëshuar katër urdhër-arrestime, pa dhënë më shumë hollësi./vizionplus.tv






