Një vajzë 7-vjeçare është gjetur e mbytur në ujërat e lumit Drin i Zi, paraditen e sotme.
Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në fshatin Gjoricë të Bulqizës, teksa e mitura kishte qenë pasditen e djeshme duke u larë në ujërat e lumit së bashku me fëmijë të tjerë dhe xhaxhain e saj.
Në momentin kur grupi është larguar nga lumi, ishte menduar se vajza ishte kthyer në banesë te prindërit. Por, pasi është konstatuar se ajo nuk kishte shkuar në shtëpi, familjarët kanë dhënë alarmin dhe kanë nisur kërkimet për të.
Pas kërkimeve gjatë natës, trupi i pajetë i 7-vjeçares është gjetur paraditen e sotme në ujërat e lumit Drin i Zi.
Paraprakisht dyshohet se e mitura ishte larguar për t’u larë pa fëmijët e tjerë dhe pa u vënë re prej tyre. Në këto rrethana, dyshohet se ajo është marrë nga rrjedha e lumit pas rritjes së nivelit të ujit, që paraprakisht lidhet me hapjen e digës së hidrocentralit të Spilesë në Maqedoninë e Veriut.
/vizionplus.tv





