Ministria e Jashtme uron “Listën e Studentëve” për fitoren në zgjedhje: Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar

Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, ka uruar “Listën e Studentëve” për firoren bindëse në zgjedhjet e fundit në Serbi.
Po ashtu ministria e Jashtëme uron në veçanti Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë arritur një rezultat të rëndësishëm në këto zgjedhje.
Reagimi i plotë:
Shqipëria përgëzon “Listën e Studentëve” për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare në Serbi, si dhe qytetarët për pjesëmarrjen e tyre të gjerë në procesin demokratik.
Zhvillimet në Serbi dëshmojnë rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik. Energjia qytetare, e cila gjen përfaqësim përmes institucioneve, përbën një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që fitojnë besimin e qytetarëve.
Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë arritur një rezultat të rëndësishëm në këto zgjedhje. Sipas projeksioneve paraprake, pritet të sigurohen dy mandate parlamentare, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet ende e hapur. Ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime.
Në këtë kapitull të ri politik për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës mbetet një përgjegjësi thelbësore. Shqipëria pret një angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore. Ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja edhe për paqen e bashkëpunimin në rajon.
Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe përkushtimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes.




