Një paketë me tetë rekomandime nga ana e qeverisë është përcjellë këtë të hënë për institucionet e drejtësisë nga ministri Ulsi Manja.
Në një konferencë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, Manja tha se këto rekomandime synojnë forcimin e luftës kundër krimit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale.
Rekomandimet fokusohen te nxitja e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritja e hetimeve për luftën kundër krimit dhe narkotikëve, rritja e kapaciteteve institucionale, etj.
“Duhet ndërtuar një strategji e koordinuar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera publike. Marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe transparenca ndërinstitucionale janë kyçe për suksesin në përballjen me krimin”, tha ministri Manja.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave propozon edhe krijimin e strukturave të specializuara për çështje komplekse, ku kërkohen trajnime me ndërkombëtarët.
“Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të vazhdueshme në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnimi për antikorrupsion, krim të organizuar dhe krime kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar”.
Megjithatë mbi këto rekomandime kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani shprehu disa rezerva. Ai theksoi se një pjesë e tyre janë të paplota, pasi nuk shoqërohen me të dhëna konkrete, ndërsa disa të tjera përmbajnë terma shumë të përgjithshëm.
“Një rekomandim tjetër që shikoj, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritete dhe luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja “nevojë për respektim të mekanizmave ekzistues të kontrollit”. Rekomandohet forcim i mekanizmave të brendshme kontrollit. SPAK, tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD, krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistues rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike”, tha Dumani.
Ndërsa drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha se është e rëndësishme ndjekja e këtyre 8 pikave të propozuara nga qeveria, por sipas tij deri më tani ka një mungesë 35% në organikë dhe e bën të vështirë ndjekjen e rekomandimeve./vizionplus.tv





