Ndërsa mbeten edhe pak ditë përpara se presidenti Donald Trump të marrë vendimin nëse do të heqë dorë apo jo nga marrëveshja bërthamore e Iranit presidenti Hasan Rouhani ka lëshuar kërcënimet. Ai ka paralajmëruar SHBA se do të bëjnë një gabim me pasoja historike nëse tërhiqen nga pakti i vitit 2015.

 

 “Ne nuk do të transferojmë sigurinë tonë, as do të negociojmë ose do të shtojmë një marrëveshje që kemi zbatuar tashmë në mirëbesim. Irani I ka planet gati për t’u përballur me çdo vendim të Presidentit të SHBA, Donald Trump. Direktivat e nevojshme i janë dhënë Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit për të vazhduar punën në rast të tërheqjes.”

 

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Uashingtoni do të largohet nga marrëveshja, nëse aleatët evropianë nuk përmirësojnë të metat e tmerrshme të këtij pakti deri më 12 maj. Marrëveshja e nënshkruar më 2015 ka lehtësuar sanksionet, në këmbim të frenimit të programit bërthamor, por Trump ka thënë se kushtet në marrëveshje nuk janë strikte.

 

Gjermania, Franca, Rusia, Kina dhe Britania gjithashtu kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe i kanë bërë thirrje Uashingtonit që të mos tërhiqet. Aleatet e Uashingtonit kane argumentuar se kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar Iranin të zhvillojë armë bërthamore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *