Subscribe

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato përforcoi edhe njëherë mbështetjen e palëkundur ndaj organeve të drejtësisë.

Duke theksuar se nuk ka vend për standarte të dyfishta pasi kushtet e integrimit në union janë mëse të qarta, kreu i delegacionit europian në vendin tonë kërkoi që askush të mos ndërhyjë në punën e SPAK.

“Nuk ka standarte të dyfishta. Mesazhi është i qartë dhe i vazhdueshëm, reforma në drejtësi po jep fryte dhe duhet të mos e pengojmë atë. Ne nuk komentojmë punën e SPAK, ata po bëjnë detyrën e tyre. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë kapitujt që hapen të parët dhe mbyllen të fundit. Ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë në reformat e ndërmarra”, tha Gonzato.

Sa i takon përplasjeve të aktorëve politikë mbi reformën zgjedhore, ambasadori Gonzato u shpreh se nuk ka rrugë tjetër veçse mirëkuptimit mes paleve.

“BE nuk ka nje standart specifik mbi reformën zgjedhore. Parlamenti shqiptar duhet të marrë në konsideratë rekomandimet. Kam besim se mazhoranca dhe opozita do të arrijnë një mirëkuptim mbi këtë çështje”,  tha ai.

Mbi anëtarësimin Shqipërisë përgjigja e përfaqësuesit të Brukselit në Tiranë është po ajo, procesi bazohet në meritë dhe sinjalet janë pozitive.

“Shtetet anëtare e shohin si një interes të përbashkët por procesi bazohet në meritë dhe varet nga performanca e secilit shtet. Sinjalet për Shqipërinë janë pozitive. Duhet të lëvizim në hapin e radhës shumë shpejt”,  tha ambasadori.

Duke nisur nga kjo e enjte e deri më 11 maj, do të zhvillohet java e Europës me me një sërë aktivitetesh që synojnë promovimin e gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe të drejtave të njeriut përmes artit, muzikës, panaireve, ekspozitave dhe paneleve të diskutimit të organizuara jo vetëm në kryeqytet. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *