Alarm për bombë në shkolla, persona anonimë kërcënojnë me E-mail, por rezulton fals

Disa shkolla në Tiranë u vunë në alarm pas një kërcënimi për sulme me bombë, që u bë me një e-mail të mbërritur këtë të premte, në orën 04:15 minuta.
Dërguesi i mesazhit është anonim, por nga teksti I tij lë të kuptohet se ai është një ekstremist islamik.
“Ne gjithmonë kemi pritur ditën kur mund të zbresim në qytet dhe të mos fshehim fytyrat tona. Do të vijë dita kur imazhet tona në kokat tona do të bëhen forca shkatërruese e realitetit që do të ndjeni në këto mure. Gjaku i mësuesve do të derdhet në shkolla. Ne do të presim qafën e tyre. Armiqtë e Allahut do t’i shtrembërojnë veprimet tona”, thuhej në E-mail.
Lajmi shkaktoi panik te prindërit, mësuesit dhe nxënësit.
Fëmijët u nxorën jashtë në oborr për shumë minuta, ndërsa forcat e policisë nisën kontrollet në institucionet arsimore dhe alarmi rezultoi fals.
Njësia e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka nisur hetimet për zbulimin e personit që ka dërguar e-mailin në fjalë, ndërsa në shkolla situata i është rikthyer normalitetit. /vizionplus.tv




